Zbulesa 4:1-6 Së Bashku (ALNT)

1. Pastaj pashë një derë të hapur në qiell dhe zëri që kisha dëgjuar më parë të më fliste si trumbetë më tha: «Ngjitu këtu lart! Do të të tregoj ato që duhet të ndodhin më pas».

2. U rrëmbeva menjëherë nga Shpirti i Shenjtë. Atje në qiell ndodhej një fron dhe mbi fron rrinte ulur dikush

3. që i ngjante nga pamja një guri diaspri dhe sardi. Fronin e rrethonte një ylber që ngjante nga pamja me gur smeraldi.

4. Rreth e qark fronit kishte njëzet e katër frone. Mbi këto frone rrinin ulur njëzet e katër pleq veshur me të bardha dhe me kurora të arta në kokë.

5. Nga froni dilnin vetëtima, zëra e bubullima. Para tij digjeshin shtatë shandanë të ndezur, që janë shtatë shpirtrat e Perëndisë.

6. Para fronit ishte diçka si det i qelqtë, që ngjante si kristal.Në qendër, rreth e rrotull fronit ndodheshin katër gjallesa plot me sy para dhe prapa.

Zbulesa 4