Veprat 28:6-13 Së Bashku (ALNT)

6. Ata po prisnin që të ënjtej, apo të binte i vdekur menjëherë, por, pasi pritën shumë dhe panë se nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndërruan mendje e filluan të thoshin se ai ishte perëndi.

7. Afër atij vendi gjendeshin tokat e të parit të ishullit me emrin Publi. Ai na priti e na strehoi miqësisht për tri ditë.

8. I ati i Publit ishte i sëmurë në shtrat me ethe e dizenteri. Pali iu afrua atij, u lut, shtriu duart mbi të dhe e shëroi.

9. Pasi ndodhi kjo gjë, edhe të sëmurët e tjerë të ishullit erdhën te Pali dhe u shëruan.

10. Ata na nderuan shumë dhe, kur po niseshim, na dhanë me vete gjithçka që na nevojitej.

11. Pas tre muajsh u nisëm me një anije të Aleksandrisë, që e kishte kaluar dimrin në ishull dhe që mbante emblemën e Dioskurëve.

12. U ndalëm në Sirakuzë e ndenjëm aty tri ditë.

13. Pastaj lundruam përgjatë bregut dhe mbërritëm në Regjio. Pas një dite filloi të frynte juga dhe për dy ditë arritëm në Pocuol.

Veprat 28