Veprat 14:4-12 Së Bashku (ALNT)

4. Banorët e qytetit u përçanë. Disa ishin me judenjtë e disa me apostujt.

5. Kur paganët dhe judenjtë, bashkë me krerët e tyre, bënë plan që t’i keqtrajtonin e t’i vrisnin me gurë,

6. apostujt e morën vesh dhe shkuan në Listër e Derbë, qytete të Likaonisë, si edhe në fshatrat përreth.

7. Aty vazhduan të shpallnin ungjillin.

8. Në Listër gjetën një njeri me këmbë të paralizuara që në bark të nënës. Ai rrinte ulur dhe nuk kishte ecur kurrë.

9. Pali e pa atë me vëmendje dhe, kur vuri re se ai besonte se do të shërohej,

10. i tha me zë të lartë: «Ngrihu në këmbë!». Atëherë ai u ngrit në këmbë e filloi të ecte.

11. Kur panë se ç’bëri Pali, turmat bërtitën në likaonisht e thanë: «Perënditë kanë zbritur te ne në formë njeriu!».

12. Ata e quajtën Barnabën Zeus, ndërsa Palin Hermes, sepse ishte ai që fliste më shumë.

Veprat 14