Veprat 14:2-21 Së Bashku (ALNT)

2. Por judenjtë që nuk besuan, i mbushën me ligësi shpirtrat e johebrenjve dhe i ngritën kundër vëllezërve besimtarë.

3. Megjithatë Pali e Barnaba ndenjën aty për shumë kohë, duke folur me guxim për Zotin. Zoti u jepte atyre fuqinë që të bënin mrekulli e shenja, duke dëshmuar kështu se predikimi i tyre për hirin e tij ishte i vërtetë.

4. Banorët e qytetit u përçanë. Disa ishin me judenjtë e disa me apostujt.

5. Kur paganët dhe judenjtë, bashkë me krerët e tyre, bënë plan që t’i keqtrajtonin e t’i vrisnin me gurë,

6. apostujt e morën vesh dhe shkuan në Listër e Derbë, qytete të Likaonisë, si edhe në fshatrat përreth.

7. Aty vazhduan të shpallnin ungjillin.

8. Në Listër gjetën një njeri me këmbë të paralizuara që në bark të nënës. Ai rrinte ulur dhe nuk kishte ecur kurrë.

9. Pali e pa atë me vëmendje dhe, kur vuri re se ai besonte se do të shërohej,

10. i tha me zë të lartë: «Ngrihu në këmbë!». Atëherë ai u ngrit në këmbë e filloi të ecte.

11. Kur panë se ç’bëri Pali, turmat bërtitën në likaonisht e thanë: «Perënditë kanë zbritur te ne në formë njeriu!».

12. Ata e quajtën Barnabën Zeus, ndërsa Palin Hermes, sepse ishte ai që fliste më shumë.

13. Prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte jashtë qytetit, solli dema e kurora te dyert dhe së bashku me turmat donin t’u kushtonin flijime.

14. Kur e dëgjuan këtë gjë dy apostujt, Barnaba e Pali, grisën rrobat dhe dolën me vrap te turmat duke bërtitur:

15. «O burra, çfarë po bëni kështu? Ne jemi njerëz si ju. Ne ju sjellim ungjillin, që të ktheheni nga këto gjëra të kota te Perëndia i gjallë, që krijoi qiellin, tokën, detin e gjithçka gjendet në to.

16. Në kohën e breznive të kaluara i ka lejuar të gjitha kombet të ndiqnin udhët e tyre.

17. Megjithatë ai ka dhënë dëshmi për veten e tij, duke bërë vepra të mira. Ju ka dhënë shi nga qielli e stinë të begata, duke ju dhënë ushqim e duke i gëzuar zemrat tuaja».

18. Edhe pas këtyre fjalëve i mbajtën me vështirësi turmat që të mos u kushtonin flijime.

19. Por aty erdhën disa judenj nga Antiokia e Ikoni dhe i bënë turmat për vete. Atëherë e goditën Palin me gurë dhe e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit, duke menduar se kishte vdekur.

20. Kur dishepujt u mblodhën përreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet. Të nesërmen shkoi me Barnabën në Derbë.

21. Pasi e shpallën ungjillin në atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listër, në Ikon e në Antioki.

Veprat 14