2. Por judenjtë që nuk besuan, i mbushën me ligësi shpirtrat e johebrenjve dhe i ngritën kundër vëllezërve besimtarë.
3. Megjithatë Pali e Barnaba ndenjën aty për shumë kohë, duke folur me guxim për Zotin. Zoti u jepte atyre fuqinë që të bënin mrekulli e shenja, duke dëshmuar kështu se predikimi i tyre për hirin e tij ishte i vërtetë.
4. Banorët e qytetit u përçanë. Disa ishin me judenjtë e disa me apostujt.
5. Kur paganët dhe judenjtë, bashkë me krerët e tyre, bënë plan që t’i keqtrajtonin e t’i vrisnin me gurë,
6. apostujt e morën vesh dhe shkuan në Listër e Derbë, qytete të Likaonisë, si edhe në fshatrat përreth.
7. Aty vazhduan të shpallnin ungjillin.
8. Në Listër gjetën një njeri me këmbë të paralizuara që në bark të nënës. Ai rrinte ulur dhe nuk kishte ecur kurrë.
9. Pali e pa atë me vëmendje dhe, kur vuri re se ai besonte se do të shërohej,
10. i tha me zë të lartë: «Ngrihu në këmbë!». Atëherë ai u ngrit në këmbë e filloi të ecte.
11. Kur panë se ç’bëri Pali, turmat bërtitën në likaonisht e thanë: «Perënditë kanë zbritur te ne në formë njeriu!».