Veprat 14:19-27 Së Bashku (ALNT)

19. Por aty erdhën disa judenj nga Antiokia e Ikoni dhe i bënë turmat për vete. Atëherë e goditën Palin me gurë dhe e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit, duke menduar se kishte vdekur.

20. Kur dishepujt u mblodhën përreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet. Të nesërmen shkoi me Barnabën në Derbë.

21. Pasi e shpallën ungjillin në atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listër, në Ikon e në Antioki.

22. Aty ua forcuan shpirtrat dishepujve dhe u dhanë zemër që të vazhdonin në besim, duke u thënë: «Duhet të kalojmë shumë mundime për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë».

23. Në çdo kishë ata zgjodhën pleqtë drejtues dhe me agjërim e lutje ia paraqitën Zotit, në të cilin kishin besuar.

24. Pastaj kaluan nëpër Pisidi dhe arritën në Pamfili.

25. Atëherë e predikuan fjalën e Zotit në Pergë dhe shkuan në Atali.

26. Që aty lundruan për në Antioki, në qytetin ku Perëndia u kishte besuar hirin për veprën që kishin përfunduar.

27. Kur arritën, e mblodhën kishën, i treguan gjithçka që kishte bërë me ta Perëndia dhe sesi ai u kishte hapur derën e besimit kombeve pagane.

Veprat 14