Veprat 10:18-28 Së Bashku (ALNT)

18. Pastaj thirrën e pyetën nëse rrinte aty Simoni që quhej Pjetër.

19. Ndërkohë që Pjetri ende kishte në mendje vegimin, Shpirti i Shenjtë i tha: «Po të kërkojnë tre burra.

20. Tani ngrihu, zbrit poshtë e shko me ta pa ngurruar, se i kam dërguar unë».

21. Pjetri zbriti te këta njerëz e tha: «Unë jam ai që po kërkoni. Pse keni ardhur?».

22. Ata i thanë: «Korneli, centurioni, është njeri i drejtë dhe e druan Perëndinë. Për të flet mirë tërë kombi i judenjve. Atë e udhëzoi një engjëll i shenjtë të të thërrasë në shtëpinë e tij dhe të dëgjojë çfarë ke për t’i thënë».

23. Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë e të rrinin në atë shtëpi.Të nesërmen ai u ngrit e shkoi me ta. Disa prej vëllezërve besimtarë nga Jopa shkuan me të.

24. Një ditë më pas arritën në Cezare. Korneli po i priste dhe kishte thirrur të afërmit e miqtë e ngushtë.

25. Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para dhe i ra ndër këmbë për ta adhuruar.

26. Por Pjetri e ngriti e i tha: «Ngrihu! Edhe unë njeri jam».

27. Ndërsa po fliste me Kornelin, hyri brenda dhe gjeti shumë njerëz që ishin mbledhur atje.

28. Atëherë u tha: «Ju e dini se për një jude është e palejueshme të shoqërohet me një të huaj apo të hyjë në shtëpinë e tij, por Perëndia më ka treguar se nuk duhet të quaj më askënd të papastër apo të ndyrë.

Veprat 10