Mateu 16:4-20 Së Bashku (ALNT)

4. Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon mrekulli, por asaj nuk do t’i jepet asnjë mrekulli, përveç mrekullisë së Jonait».Pastaj u largua prej tyre.

5. Kur arritën në bregun tjetër, dishepujt panë se kishin harruar të merrnin bukë.

6. Atëherë Jezui u tha: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e saducenjve».

7. Ndërsa ata i thanë njëri-tjetrit: «Nuk kemi marrë bukë me vete».

8. Por Jezui e dinte këtë gjë dhe u tha:«Çfarë po i thoni njëri-tjetrit, o besimpakë? Se nuk keni bukë?

9. Nuk kuptoni? A nuk ju kujtohen pesë bukët që iu ndamë pesë mijë vetave dhe sesa shporta mblodhët?

10. Po shtatë bukët që iu ndamë katër mijë vetave? Sa shporta mblodhët?

11. Si nuk e kuptoni që nuk ju fola për bukën? Ruhuni, pra, prej tharmit të farisenjve e saducenjve».

12. Atëherë e kuptuan se nuk u kishte thënë të ruheshin nga tharmi i bukës, por nga mësimi i farisenjve e saducenjve.

13. Kur erdhi në krahinën e Cezaresë së Filipisë, Jezui i pyeti dishepujt e vet: «Kush thonë njerëzit se është Biri i njeriut?».

14. Ata i thanë: «Disa thonë se është Gjon Pagëzori, të tjerë se është Elia dhe të tjerë se është Jeremia ose njëri nga profetët».

15. Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?».

16. Atëherë Simon Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë».

17. Jezui i tha:«Lum ti, Simon, biri i Jonait, se as mishi, as gjaku nuk ta zbuluan këtë gjë, por Ati im që është në qiej!

18. Dhe unë po të them: ti je Pjetri. Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe fuqitë e ferrit nuk do ta mposhtin atë.

19. Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve. Çfarëdo që të lidhësh në tokë, do të jetë e lidhur në qiej dhe çfarëdo që të zgjidhësh në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiej».

20. Pastaj i urdhëroi dishepujt të mos i tregonin askujt se ai ishte Krishti.

Mateu 16