Mateu 13:7-21 Së Bashku (ALNT)

7. Disa fara të tjera ranë ndër ferra dhe ferrat u rritën e ua zunë frymën.

8. Fara të tjera ranë në tokë të mirë dhe dhanë fryt, disa njëqindfish, disa gjashtëdhjetë e disa tridhjetë.

9. Kush ka veshë le të dëgjojë».

10. Pastaj erdhën dishepujt dhe i thanë: «Përse u flet me shëmbëlltyra?».

11. Jezui u përgjigj:«Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre jo.

12. Atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë e do të ketë me tepri, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.

13. Atyre u flas me shëmbëlltyra, sepse megjithëse shikojnë, nuk shohin dhe megjithëse dëgjojnë, nuk marrin vesh e as kuptojnë.

14. Te këta plotësohet profecia e Isaisë që thotë: do të dëgjoni, por s’do të kuptoni, do të shikoni, por s’do të shihni.

15. Sepse zemra e këtij populli është mpirë, veshët e tyre dëgjojnë me vështirësi dhe sytë i kanë të mbyllur, që të mos shohin me sy, të mos dëgjojnë me veshë, të mos kuptojnë me zemër dhe që të mos kthehen tek unë për t’i shëruar.

16. Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë.

17. Me të vërtetë po ju them se shumë profetë dhe njerëz të drejtë kanë dëshiruar të shohin çfarë po shihni ju e nuk i panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk i dëgjuan.»

18. «Ju e dëgjuat shëmbëlltyrën e mbjellësit.

19. Kur dikush e dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i rrëmben atë që është mbjellë në zemrën e tij. Ky njeri është fara që u mboll në rrugë.

20. Ajo që u mboll në gurishtë është ai njeri që e dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë plot gëzim,

21. por nuk ka rrënjë në vetvete dhe është i përkohshëm, kështu që kur vjen mundimi apo përndjekja për shkak të fjalës së Perëndisë, menjëherë humbet besimin.

Mateu 13