9. Pastaj dishepujt e pyetën se çfarë kuptimi kishte kjo shëmbëlltyrë.
10. Jezui u përgjigj:«Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa të tjerëve u flas me shëmbëlltyra, që të kenë sy e të mos shohin dhe të dëgjojnë e të mos kuptojnë.»
11. «Shëmbëlltyra është kjo: fara është fjala e Perëndisë.
12. Farat që ranë në rrugë janë ata që e dëgjojnë atë. Pastaj vjen djalli dhe e rrëmben fjalën nga zemrat e tyre, që të mos besojnë e të mos shpëtohen.
13. Farat që ranë në gurishtë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e pranojnë me gëzim, por nuk e lënë të zërë rrënjë. Ata besojnë vetëm për pak dhe në kohën e sprovës e braktisin besimin.
14. Fara që ra ndër ferra janë ata që e dëgjojnë, por gjatë udhës ua zënë frymën shqetësimet, pasuria dhe kënaqësitë e jetës dhe frytet e tyre nuk piqen.
15. Fara që bie në tokë të mirë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e ruajnë në një zemër të ndershme e të mirë. Këta mbesin besnikë e japin fryte».
16. «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje apo nën shtrat. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda.