Luka 7:6-11 Së Bashku (ALNT)

6. Atëherë Jezui shkoi me ta, por nuk ishin larg nga shtëpia kur centurioni dërgoi disa miq për t’i thënë: «O Zot, mos u shqetëso! Unë nuk jam i denjë që të hysh nën çatinë time.

7. Prandaj nuk m’u duk vetja i denjë të vija vetë, por thuaj një fjalë e shërbëtori im do të shërohet.

8. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit: “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit: “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim: “bëje këtë”, ai e bën».

9. Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua me centurionin. Atëherë u kthye dhe i tha turmës që po e ndiqte: «Po ju them se as në Izrael nuk e kam gjetur një besim kaq të madh».

10. Pastaj të dërguarit u kthyen në shtëpinë e centurionit dhe e gjetën shërbëtorin të shëruar.

11. Jezui shkoi në një qytet që quhej Nain, i shoqëruar nga dishepujt e tij e nga një turmë e madhe.

Luka 7