14. Jezui i pa dhe u tha: «Shkoni e paraqituni te priftërinjtë».Dhe ndërsa po shkonin, u pastruan.
15. Pastaj njëri prej tyre, kur pa se ishte pastruar, u kthye e përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.
16. Ai ra përmbys para këmbëve të Jezuit dhe e falënderoi. Ai ishte samaritan.
17. Atëherë Jezui pyeti: «A nuk ishin dhjetë ata që u pastruan? Po nëntë të tjerët, ku janë?
18. Nuk u gjet asnjë prej tyre që të kthehej e t’i jepte lavdi Perëndisë përveç këtij të huaji?».
19. Pastaj i tha atij: «Ngrihu e shko. Besimi yt të shpëtoi».
20. Një herë, kur farisenjtë e pyetën Jezuin se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, Jezui u përgjigj: «Mbretëria e Perëndisë nuk vjen me bujë.
21. Nuk do të thonë: “Ja ku është këtu!”, apo “Ja atje!”. Sepse Mbretëria e Perëndisë është brenda jush».