Hebrenjve 8:7-13 Së Bashku (ALNT)

7. Nëse besëlidhja e parë do të ishte pa të metë, atëherë nuk do të ishte nevoja të zëvendësohej me një të dytë.

8. Por Perëndia e qortoi popullin e vet e i tha: Ja ku po vijnë ditët, thotë Zoti, kur do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës.

9. Ajo nuk do të jetë si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, ditën kur i mora për dore për t’i nxjerrë nga Egjipti. Ata nuk i qëndruan besnikë besëlidhjes sime, prandaj unë i braktisa - thotë Zoti.

10. Besëlidhja që do të lidh me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve - thotë Zoti - është kjo: Unë do t’i shtie ligjet e mia në mendjen e tyre dhe do t’i shkruaj në zemrat e tyre. Unë do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.

11. Askush nuk do të mësojë më tjetrin dhe askush nuk do t’i thotë më vëllait të vet: «Njih Zotin!», sepse do të më njohin të gjithë, që nga i vogli e deri tek i madhi.

12. Unë do të jem i mëshirshëm për paudhësitë e tyre dhe mëkatet e tyre nuk do t’i kujtoj më.

13. Kur Perëndia tha ‘besëlidhja e re’, e vjetëroi të parën. Ajo që vjetërohet dhe plaket është afër zhdukjes.

Hebrenjve 8