5. Ata që e kanë marrë priftërinë si pasardhës të Levit, kanë urdhër që, sipas ligjit të Moisiut, të marrin të dhjetën e gjithçkaje nga populli, domethënë nga vëllezërit e tyre, pavarësisht se edhe ata kanë dalë prej farës së Abrahamit.
6. Melkisedeku, ndonëse nuk rridhte nga fisi i Levit, mori të dhjetën nga Abrahami dhe bekoi atë që kishte marrë premtimin e Perëndisë.
7. Dhe pa dyshim, më i vogli bekohet nga më i madhi.
8. Levitët që marrin të dhjetën janë njerëz të vdekshëm, ndërsa për Melkisedekun dëshmohet se jeton.
9. Mund të thoshim se edhe Levi, i cili merr të dhjetën nga të tjerët, nëpërmjet Abrahamit i dha Melkisedekut të dhjetën,
10. sepse ai ishte ende në trupin e atit të tij Abrahamit kur ky u takua me Melkisedekun.
11. Nëse do të arrinim në përsosje nëpërmjet priftërisë levitike, të cilën populli e kishte marrë nga ligji i Moisiut, ç’nevojë kishte të dilte një priftëri tjetër sipas urdhërit të Melkisedekut dhe jo sipas urdhërit të Aaronit?
12. Kur ndryshohet priftëria, domosdo bëhet edhe ndryshimi i ligjit.
13. Zoti ynë, për të cilin bëhet fjalë, i përkiste një fisi tjetër, nga i cili askush nuk i kishte shërbyer ndonjëherë altarit.
14. Dihet se ai ishte nga fisi i Judës, fis për të cilin Moisiu nuk tha asgjë kur foli për priftërinë.
15. Kjo bëhet edhe më e qartë kur del një prift tjetër i ngjashëm me Melkisedekun,
16. i cili nuk u bë prift sipas rregullave njerëzore, por sipas fuqisë së jetës që s’ka fund.
17. Sepse Shkrimi i shenjtë dëshmon: Ti do të jesh prift përjetë sipas urdhrit të Melkisedekut.
18. Urdhërimi i mëparshëm bie poshtë, ngaqë ishte i dobët e i padobishëm.
19. Ligji i Moisiut nuk bëri të përsosur askënd, por na dha një shpresë më të madhe, me të cilën i afrohemi Perëndisë.
20. Jezui nuk u bë prift pa betim, ndërsa të tjerët u bënë pa betim.
21. Jezui u bë prift me betimin e Perëndisë që i tha: Zoti u betua dhe nuk do të pendohet. Ti je prift në amshim .
22. Prandaj Jezui u bë dorëzani i një besëlidhjeje më të mirë.
23. Priftërinjtë e tjerë ishin të shumtë, pasi nuk i lejonte vdekja të mbeteshin priftërinj përjetë,
24. ndërsa Jezui, ngaqë jeton në amshim, ka priftëri të patjetërsueshme.
25. Prandaj ai mund t’i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse ai jeton përjetësisht për të ndërmjetësuar për ta.