Gjoni 3:5-17 Së Bashku (ALNT)

5. Jezui u përgjigj:«Me të vërtetë po të them se ai që nuk lind nga uji dhe nga Shpirti i Shenjtë, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.

6. Ajo që ka lindur nga njeriu është njerëzore, ajo që ka lindur nga Shpirti i Shenjtë është shpirt.

7. Mos u çudit se të thashë: “Duhet të lindeni përsëri.”

8. Era fryn ku të dojë; ushtimën ia dëgjon, por nuk e di nga vjen e ku shkon. Kështu janë edhe ata që linden nga Shpirti i Shenjtë».

9. Nikodemi e pyeti: «Si mund të ndodhin këto gjëra?».

10. Jezui u përgjigj:«Ti je mësues i Izraelit dhe nuk i kupton këto gjëra?

11. Me të vërtetë po të them: flasim atë që dimë dhe dëshmojmë atë që kemi parë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë.

12. Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjërat tokësore, si do të më besoni po t’ju flas për gjërat qiellore?

13. Askush nuk është ngjitur në qiell, përveç Birit të njeriut që ka zbritur prej qiellit.

14. Ashtu si Moisiu lartësoi gjarprin prej bronzi në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe Biri i njeriut,

15. që kushdo që beson në të, të ketë jetën e amshuar.

16. Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar.

17. Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë për ta gjykuar botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij.

Gjoni 3