Gjoni 20:17-25 Së Bashku (ALNT)

17. Jezui i tha: «Mos më prek, se nuk jam ngjitur ende tek Ati. Por, shko te vëllezërit e mi dhe thuaju se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, Perëndia im dhe Perëndia juaj».

18. Maria Magdalena shkoi dhe i lajmëroi dishepujt se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë asaj këto fjalë.

19. Në mbrëmjen e po asaj dite, të dielën, ndërsa dyert e vendit ku rrinin dishepujt ishin të mbyllura nga frika e judenjve, erdhi Jezui, qëndroi në mes dhe u tha: «Paqja me ju!».

20. Si tha këto fjalë, u tregoi duart dhe brinjën. Dishepujt u gëzuan kur panë Zotin.

21. Pastaj Jezui u tha përsëri: «Paqja me ju! Sikurse Ati më dërgoi mua, ashtu edhe unë ju dërgoj ju».

22. Pasi tha këto, hukati mbi ta dhe u tha: «Merrni Shpirtin e Shenjtë!

23. Atyre që ua falni mëkatet, do t’u falen, atyre që nuk ua falni, nuk do t’u falen».

24. Por një nga të dymbëdhjetët, Thomai, që e quanin Binjak, nuk kishte qenë me ta kur erdhi Jezui.

25. Dishepujt e tjerë i thanë: «Kemi parë Zotin».Ndërsa ai u tha: «Po të mos shoh shenjat e gozhdëve në duart e tij, po të mos vë gishtin te shenjat e gozhdëve dhe po të mos vë dorën te brinja e tij, unë nuk do të besoj».

Gjoni 20