11. Maria qëndronte përjashta pranë varrit duke qarë. Ndërsa qante, u përkul drejt varrit
12. dhe pa dy engjëj të veshur me të bardha që qëndronin atje ku kishte qenë shtrirë trupi i Jezuit, njëri te koka dhe tjetri te këmbët.
13. Ata i thanë: «Grua, përse po qan?».Ajo u tha: «E kanë marrë Zotin tim dhe nuk e di ku e kanë vënë».
14. Si tha këto, ajo u kthye prapa dhe pa Jezuin që qëndronte në këmbë, por nuk e dinte se ishte ai.
15. Jezui i tha: «Grua, përse po qan? Kë po kërkon?».Ajo, duke kujtuar se ishte kopshtari, i tha: «Zotëri, nëse e ke marrë ti, më thuaj ku e vure dhe unë do ta marr».
16. Jezui i tha: «Mari!».Ajo u kthye dhe i tha në hebraisht: «Rabbuni!», që do të thotë mësues.
17. Jezui i tha: «Mos më prek, se nuk jam ngjitur ende tek Ati. Por, shko te vëllezërit e mi dhe thuaju se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, Perëndia im dhe Perëndia juaj».
18. Maria Magdalena shkoi dhe i lajmëroi dishepujt se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë asaj këto fjalë.
19. Në mbrëmjen e po asaj dite, të dielën, ndërsa dyert e vendit ku rrinin dishepujt ishin të mbyllura nga frika e judenjve, erdhi Jezui, qëndroi në mes dhe u tha: «Paqja me ju!».
20. Si tha këto fjalë, u tregoi duart dhe brinjën. Dishepujt u gëzuan kur panë Zotin.
21. Pastaj Jezui u tha përsëri: «Paqja me ju! Sikurse Ati më dërgoi mua, ashtu edhe unë ju dërgoj ju».
22. Pasi tha këto, hukati mbi ta dhe u tha: «Merrni Shpirtin e Shenjtë!
23. Atyre që ua falni mëkatet, do t’u falen, atyre që nuk ua falni, nuk do t’u falen».
24. Por një nga të dymbëdhjetët, Thomai, që e quanin Binjak, nuk kishte qenë me ta kur erdhi Jezui.
25. Dishepujt e tjerë i thanë: «Kemi parë Zotin».Ndërsa ai u tha: «Po të mos shoh shenjat e gozhdëve në duart e tij, po të mos vë gishtin te shenjat e gozhdëve dhe po të mos vë dorën te brinja e tij, unë nuk do të besoj».
26. Pas tetë ditësh, dishepujt ishin përsëri brenda në dhomë dhe me ta ndodhej edhe Thomai. Atëherë erdhi Jezui, megjithëse dyert ishin mbyllur, qëndroi në mes dhe u tha: «Paqja me ju!».
27. Pastaj i tha Thomait: «Vëre gishtin tënd këtu dhe shiko duart e mia, shtrije dorën dhe vëre te brinja ime. Dhe mos dysho, por beso!».
28. Thomai u përgjigj: «Zoti im dhe Perëndia im!».
29. Jezui i tha: «Besove sepse më pe. Lum ata që besojnë pa parë!».
30. Jezui bëri para dishepujve të tij edhe shumë mrekulli të tjera, që nuk janë shkruar në këtë libër.
31. Këto u shkruan që ju të besoni se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që duke besuar të keni jetën në emrin e tij.