Gjoni 2:5-12 Së Bashku (ALNT)

5. Atëherë, e ëma e Jezuit u tha shërbëtorëve: «Bëni gjithçka që do t’ju thotë!».

6. Atje ndodheshin gjashtë qypa prej guri, që përdoreshin për ritin e pastrimit të judenjve. Secili prej tyre mbante tetëdhjetë deri në njëqind e njëzet litra.

7. Atëherë, Jezui u tha shërbëtorëve: «Mbushini qypat me ujë!». Ata i mbushën deri në grykë.

8. Pastaj u tha: «Tani, mbushni nga qypat dhe çojani të parit të dasmës!».Dhe ata ia çuan.

9. I pari i dasmës nuk e dinte nga vinte vera, por shërbëtorët që e kishin nxjerrë nga qypat e dinin. Ai, pasi e provoi ujin e bërë verë, thirri dhëndrin

10. dhe i tha: «Të gjithë nxjerrin për të pirë në fillim verën më të mirë dhe, pasi të jenë dehur dasmorët, sjellin të keqen, ndërsa ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani!».

11. Kjo qe mrekullia e parë që bëri Jezui në Kanë të Galilesë. Ai shfaqi kështu lavdinë e tij dhe dishepujt besuan tek ai.

12. Pastaj ai shkoi në Kafarnaum bashkë me të ëmën, vëllezërit dhe dishepujt e tij dhe qëndruan atje për pak ditë.

Gjoni 2