Galatasve 1:12-22 Së Bashku (ALNT)

12. Unë as nuk e mora, as nuk e mësova nga ndonjë njeri, por nëpërmjet zbulesës së Jezu Krishtit.

13. Ju keni dëgjuar për sjelljen time të dikurshme kur ndiqja fenë judaike; se me sa zell e përndiqja kishën e Perëndisë dhe përpiqesha ta shkatërroja.

14. Në fenë judaike unë ua kalova shumë bashkëmoshatarëve të kombit tim dhe isha jashtëzakonisht i zellshëm ndaj traditave të etërve të mi.

15. Po kur Perëndisë, që më ndau veç që në barkun e nënës dhe më thirri nëpërmjet hirit të tij, i pëlqeu

16. të më zbulojë Birin e vet për ta predikuar ndër kombet pagane, unë menjëherë, pa u këshilluar me asnjeri

17. dhe pa shkuar në Jerusalem tek ata që ishin apostuj para meje, shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask.

18. Vetëm tre vjet më vonë shkova në Jerusalem për të takuar Pjetrin dhe qëndrova me të pesëmbëdhjetë ditë.

19. Por nuk pashë asnjë nga apostujt e tjerë përveç Jakobit, vëllait të Zotit.

20. Ja, këto gjëra i shkruaj para Perëndisë e nuk gënjej.

21. Pastaj shkova në krahinat e Sirisë dhe Kilikisë.

22. Ndërkohë kishat e Judesë që besojnë në Krishtin, nuk më njihnin personalisht.

Galatasve 1