28. Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.
29. Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar.
30. Ata nuk kishin akoma kënaqur pangopësinë e tyre dhe kishin akoma ushqim në gojë,
31. kur zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre, vrau më të fuqishmit prej tyre dhe rrëzoi më të mirët e Izraelit.
32. Megjithatë ata vazhduan të mëkatojnë dhe nuk u besuan mrekullive të tij.
33. Atëherë ai harxhoi ditët e tyre në kotësi dhe vitet e tyre në tmerre të papritura.
34. Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell.
35. Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre.
36. Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre.
37. Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij.
38. Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë,
39. duke mbajtur mend që ata ishin mish, një frymë që kalon dhe nuk kthehet më.
40. Sa herë provokuan indinjatën e tij në shkretëtirë dhe e hidhëruar në vetmi!
41. Po, ata iu drejtuan Perëndisë shumë herë dhe përsëri e provokuan të Shenjtin e Izraelit.
42. Nuk e kujtuan më fuqinë e tij as ditën që i kishte çliruar nga armiku,
43. kur ai kishte bërë mrekullitë e tij në Egjipt dhe në fushën e Tsoanit;
44. i kishte shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit të egjiptasve në gjak, me qëllim që të mos pinin dot.
45. Kishte dërguar kundër tyre mizëri mizash që t'i hanin dhe bretkosa që t'i shkatërronin.
46. Ua kishte dhënë të korrat e tyre krimbave dhe frytin e mundit të tyre karkalecave.
47. I kishte shkatërruar vreshtat e tyre me breshër dhe fiqtë e tyre të Egjiptit me ngrica.