Psalmet 68:15-33 Bibla Shqip (ALBB)

15. Një mal i Perëndisë është mali i Bashanit, një mal me shumë maja është mali i Bashanit.

16. O male me shumë maja pse shikoni me zili malin që Perëndia ka zgjedhur për banesë të tij? Po, Zoti do të banojë atje përjetë.

17. Qerret e Perëndisë janë një mori, mijëra e mijëra, Zoti është midis tyre ashtu si në Sinai, në shenjtërinë e tij.

18. Ti je ngjitur lart, ke burgosur robërinë, ke marrë dhurata nga njerëzit edhe nga rebelët, me qëllim që ti, o Zot Perëndi të mund të qëndrosh atje.

19. I bekuar qoftë Zoti, që për ditë mbart barrat tona; ai është Perëndia i shpëtimit tonë. (Sela)

20. Perëndia është për ne Perëndia që çliron, dhe Zotit, Zotit, i përket çlirimi nga vdekja.

21. Po, Perëndia do të shtypë kokën e armiqve të tij, kokën me flokë të gjata të atyre që ecin në mëkat të tij.

22. Zoti ka thënë: "Do t'i kthej nga Bashani, do t'i kthej nga humnerat e detit,

23. me qëllim që ti të dërrmosh armiqtë e tu, duke futur thellë këmbën tënde në gjakun e tyre, dhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesën që i takon".

24. Ata kanë parë varganin tënd, o Perëndi, varganin e Perëndisë tim, e Mbretit tim në shenjtërore.

25. Këngëtarët ecnin përpara, ata që u binin veglave vinin në fund, dhe në mes qëndronin vajzat që u binin dajreve.

26. Bekoni Perëndinë në kuvendet; bekoni Zotin ju që jeni nga gurra e Izraelit.

27. Ja, Beniamini, më i vogli, por udhëheqësi i tyre, princat e Judës me trupat e tyre, princat e Zabulonit, princat e Neftalit.

28. Perëndia yt ka vendosur forcën tënde; forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne.

29. Për shkak të tempullit tënd në Jeruzalem, mbretërit do të të sjellin dhurata.

30. Shaj kafshën e kallamishteve, tufën e demave me viçat e popujve, derisa të poshtërohen duke sjellë shufra argjendi; shpërndaji popujt që kënaqen duke bërë luftë.

31. Nga Egjipti do të sjellin metal që shkëlqen, Etiopia do të nxitojë t'i shtrijë Perëndisë duart e saj.

32. O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë; këndojini lavde Zotit, (Sela)

33. atij që shkon me kalë mbi qiejt e qiejve të përjetshme, ai nxjerr zërin e tij, një zë të fuqishëm.

Psalmet 68