21. Le ta kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve;
22. le të ofrojnë flijime lëvdimi dhe le të tregojnë veprat e tij me këngë gëzimi.
23. Ata që zbresin në det me anije dhe që bëjnë tregti mbi ujërat e mëdha,
24. shohin veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij në humnerat e detit.
25. Sepse ai urdhëron dhe shkakton një erë furtune, që i ngre përpjetë valët e detit.
26. Ata ngjiten deri në qiell dhe bien në humnera; shpirti i tyre ligështohet nga ankthi.
27. Atyre u merren këmbët dhe lëkunden si të dehur, dhe nuk dinë më ç'të bëjnë.
28. Por në fatkeqësitë e tyre i këlthasin Zotit, dhe ai i shpëton nga ankthet e tyre.
29. Ai e fashit furtunën në një murmurim dhe valët e saj pushojnë.
30. Kur ato qetësohen, ata gëzohen, dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre.
31. Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë që bën në dobi të bijve të njerëzve;
32. le ta lëvdojnë në kuvendin e popullit dhe le ta lavdojnë në këshillin e pleqve.
33. Ai i shndërroni lumenjtë në shkretëtirë dhe burimet e ujit në vende të thata;
34. tokën pjellore në vend të thatë për shkak të sjelljes së keqe të banorëve të saj.
35. Ai e shndërron shkretëtirën në liqen dhe tokën e thatë në burime uji.
36. Atje ai strehon të uriturit, dhe këta ndërtojnë një qytet për të banuar,
37. mbjellin arat dhe kultivojnë vreshta që prodhojnë një korrje të bollshme.
38. Ai i bekon dhe ata shumëzohen fort, dhe ai nuk e pakëson bagëtinë e tyre.
39. Por pastaj pakësohen në një numër të vogël dhe dobësohen për shkak të shtypjes, të fatkeqësisë dhe të ankthit.
40. Ai hedh përbuzjen mbi princat dhe i bën që të enden nëpër vende të shkreta, ku nuk ekziston asnjë rrugë.