Psalmet 104:6-25 Bibla Shqip (ALBB)

6. Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobë; ujërat ishin ndalur mbi malet.

7. Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.

8. Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.

9. Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërcenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën.

10. Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve,

11. dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.

12. Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre.

13. Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua.

14. Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,

15. dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.

16. Kështu ngopen drurët e Zotit dhe cedrat e Libanit që ai ka mbjellë;

17. aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij.

18. Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve.

19. Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij.

20. Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit.

21. Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre.

22. Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre.

23. Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje.

24. Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.

25. Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta;

Psalmet 104