19. Ju do të qëndroni jashtë kampit shtatë ditë; kushdo që ka vrarë dikë dhe kushdo që ka prekur një person të vrarë, do të pastrohet ditën e tretë dhe ditën e shtatë; ky rregull vlen si për ju ashtu dhe për robërit tuaj.
20. Do të pastroni gjithashtu çdo rrobë, çdo send prej lëkure, çdo punë të bërë me leshin e dhisë dhe çdo vegël prej druri".
21. Pastaj prifti Eleazar u tha ushtarëve që kishin shkuar në luftë: "Kjo është rregulla e ligjit që Zoti i ka përcaktuar Moisiut:
22. vetëm arin, argjendin, bronzin, hekurin, kallajin dhe plumbin,
23. çdo gjë që i reziston zjarrit, do ta kaloni nëpër zjarr dhe do të bëhet i pastër; por do të pastrohen edhe me ujin e pastrimit kundër papastërtisë; ndërsa tërë gjërat që nuk mund t'i rezistojnë zjarrit, do t'i trajtoni me ujë.
24. Dhe ditën e shtatë do të lani rrobat tuaja dhe do të jeni të pastër; pas kësaj mund të hyni në kamp".
25. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
26. "Ti, me gjithë priftin Eleazar dhe me kryefamiljarët e asamblesë, llogarite tërë plaçkën e zënë, njerëzit dhe bagëtinë;