23. Por guvernatori tha: ''Po ç'të keqe ka bërë?''. Mirëpo ata po bërtisnin edhe më fort: ''Të kryqëzohet!''.
24. Atëherë Pilati, duke parë se nuk po arrinte gjë, madje se trazimi po shtohej gjithnjë e më shumë, mori ujë dhe i lau duart para turmës, duke thënë: ''Unë jam i pafaj për gjakun e këtij të drejti; mendojeni ju''.
25. Dhe gjithë populli duke u përgjigjur tha: ''Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!''.
26. Atëherë ai ua liroi atyre Baraban; dhe mbasi e fshikulloi Jezusin, ua dorëzoi, që të kryqëzohet.
27. Atëherë ushtarët e guvernatorit, mbasi e çuan Jezusin në pretoriumin e guvernatorit, mblodhën rreth tij gjithë kohortën.
28. Dhe, pasi e zhveshën, i hodhën mbi trup një mantel të kuq.
29. Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i judenjve!''.
30. Pastaj e pështynë, ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë.
31. Dhe, mbasi e përqeshën, ia hoqën mantelin dhe e veshën me rrobat e tij; dhe e çuan për ta kryqëzuar.
32. Dhe duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartë kryqin e Jezusit.