9. Atëherë do t'ju dorëzojnë në mundime dhe do t'ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim.
10. Atëherë shumë do të skandalizohen, do ta tradhtojnë njëri-tjetrin dhe do të urrejnë njëri-tjetrin.
11. Dhe do të dalin shumë profetë të rremë, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.
12. Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t'i ftohet dashuria;
13. por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.
14. Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi''.
15. ''Kur të shihni, pra, neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë (kush lexon le ta kuptojë),
16. atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male.
17. Kush ndodhet mbi tarracën e shtëpisë, të mos zbresë për të marrë diçka në shtëpinë e vet;
18. dhe kush është ndër ara, të mos kthehet për të marrë mantelin e tij.
19. Por mjerë gratë shtatzëna dhe ato që do t'u japin gji fëmijëve në ato ditë!
20. Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër, as të shtunën,
21. sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë!
22. Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.
23. Atëherë, në qoftë se dikush do t'ju thotë: "Ja, Krishti është këtu", ose "Është atje", mos i besoni.