Luka 9:31-50 Bibla Shqip (ALBB)

31. të cilët, të shfaqur në lavdi, i flisnin për ikjen e tij nga kjo jetë që do të kryhej së shpejti në Jeruzalem.

32. Pjetri dhe shokët e tij ishin të këputur nga gjumi; po kur u zgjuan plotësisht, panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që ishin bashkë me të.

33. Dhe, ndërsa këta po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: ''Mësues, për ne është mirë të rrimë këtu; le të bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian''; por ai nuk dinte ç'thoshte.

34. Dhe ndërsa ai po fliste kështu, erdhi një re që i mbuloi në hijen e vet; dhe dishepujt i zuri frika, kur hynë në re.

35. Dhe një zë dilte nga reja duke thënë: ''Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni''.

36. Dhe ndërsa fliste ky zë, Jezusi u gjet krejt vetëm. Ata heshtën dhe në ato ditë nuk i treguan kurrkujt asgjë nga ç'kishin parë.

37. Të nesërmen, kur ata zbritën nga mali, ndodhi që një turmë e madhe i doli përpara Jezusit.

38. Dhe ja, një burrë nga turma filloi të bërtasë, duke thënë: ''Mësues, të lutem, ktheje vështrimin mbi djalin tim, sepse është i vetmi që kam.

39. Dhe ja, një frymë e kap dhe menjëherë ai bërtet; pastaj e përpëlit dhe e bën të nxjerrë shkumë dhe mezi largohet, pasi e ka sfilitur.

40. U jam lutur dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata nuk kanë mundur''.

41. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''O brez mosbesues dhe i çoroditur, deri kur do të jem me ju dhe deri kur do t'ju duroj? Sille këtu djalin tënd''.

42. Dhe, ndërsa fëmija po afrohej, demoni e përpëliti atë dhe e sfiliti. Por Jezusi e qortoi frymën e ndyrë, e shëroi djalin dhe ia dorëzoi atit të vet.

43. Të gjithë mbetën të mahnitur nga madhëria e Perëndisë. Dhe, ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte Jezusi, ai u tha dishepujve të vet:

44. ''I shtini mirë në vesh këto fjalë, sepse Biri i njeriut do të bjerë në duart e njerëzve''.

45. Por ata nuk i kuptuan këto fjalë; ato ishin të fshehta dhe për këtë shkak ata nuk i kuptonin dot, dhe druanin ta pyesnin për ato që kishte thënë.

46. Pastaj midis tyre filloi një grindje: cili prej tyre do të ishte më i madhi.

47. Atëherë Jezusi, duke ditur ç'mendime kishin në zemrat e tyre, mori një fëmijë të vogël dhe e afroi pranë vetes,

48. dhe u tha atyre: ''Ai që e pranon këtë fëmijë të vogël në emrin tim, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua, sepse ai që është më i vogli nga ju të gjithë, ai do të jetë i madh''.

49. Atëherë Gjoni e mori fjalën dhe tha: ''Mësues, ne pamë një që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse ai nuk të ndjek bashkë me ne''.

50. Por Jezusi i tha: ''Mos ia ndaloni, sepse kush nuk është kundër nesh është me ne''.

Luka 9