32. Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet.
33. Në sinagogë ishte një njeri që ishte pushtuar me frymën e një demoni të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë duke thënë:
34. ''Ah, ç'ka mes nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di se kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!''.
35. Por Jezusi e qortoi duke thënë: ''Hesht dhe dil prej tij!''. Dhe demoni, pasi e përplasi përpara tyre, doli prej tij pa i bërë asgjë të keqe.
36. Atëherë të gjithë i pushtoi habia dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Ç'fjalë është kjo, vallë? Ai urdhëron me autoritet dhe pushtet frymërat e ndyra dhe ata dalin!''.
37. Dhe fama e tij përhapej në çdo vend të krahinës përreth.
38. Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.
39. Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t'u shërbejë.