24. Por ai tha: ''Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.
25. Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael;
26. e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveçse te një grua e ve në Sareptë të Sidonit.
27. Dhe në kohën e profetit Elise kishte shumë lebrosë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian''.
28. Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë.
29. Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë.
30. Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.
31. Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte njerëzit ditët e shtuna.
32. Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet.
33. Në sinagogë ishte një njeri që ishte pushtuar me frymën e një demoni të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë duke thënë:
34. ''Ah, ç'ka mes nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di se kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!''.
35. Por Jezusi e qortoi duke thënë: ''Hesht dhe dil prej tij!''. Dhe demoni, pasi e përplasi përpara tyre, doli prej tij pa i bërë asgjë të keqe.
36. Atëherë të gjithë i pushtoi habia dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Ç'fjalë është kjo, vallë? Ai urdhëron me autoritet dhe pushtet frymërat e ndyra dhe ata dalin!''.