Luka 17:3-10 Bibla Shqip (ALBB)

3. Kini kujdes veten tuaj! Në se yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe në se pendohet, fale.

4. Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje, dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: "Pendohem", fale''.

5. Atëherë apostujt i thanë Zotit: ''Na e shto besimin''.

6. Dhe Zoti tha: ''Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t'i thoshit këtij mani: "Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det", dhe ai do t'ju bindej.

7. Tani cili nga ju, po të ketë një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot kopenë, do t'i thotë kur ai kthehet nga fusha në shtëpi: "Eja menjëherë në tryezë"?

8. A nuk do t'i thotë përkundrazi: "Ma bëj gati darkën, përvishu e më shërbe që unë të ha e të pi e pastaj të hash dhe të pish edhe ti"?

9. Do ta falënderojë ndoshta atë shërbëtor sepse i zbatoi ato që i ishin urdhëruar? Mendoj se jo.

10. Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: "Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënim"''.

Luka 17