11. Atëherë një engjëll i Zotit iu shfaq duke qëndruar në këmbë në të djathtën e altarit të temjanit.
12. Zakaria, kur e pa, u trondit dhe e zuri frika.
13. Por engjëlli i tha: ''Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t'ia vësh emrin Gjon.
14. Dhe ai do të jetë për ty shkak gëzimi dhe hareje, dhe shumë vetë do të gëzohen për lindjen e tij.
15. Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit; nuk do të pijë as verë as pije dehëse dhe do të jetë i mbushur me Frymën e Shenjtë që në barkun e s'ëmës.
16. Dhe do t'i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre.