8. Kështu kaluam përtej bijve të Esaut, vëllezërve tanë, që banonin në Seir dhe, duke evituar rrugën e Arabahut, si dhe Eliathin dhe Etsion-Geberin, u tërhoqëm dhe vazhduam duke kaluar nëpër shkretëtirën e Moabit.
9. Pastaj Zoti më tha: "Mos sulmo Moabin dhe mos lufto kundër tij, sepse nuk do të të jap asnjë pjesë të vendit të tyre si trashëgimi, duke qenë se u kam dhënë Arin si pronë pasardhësve të Lotit.
10. (Në kohët e kaluara këtu banonin emimët, një popull i madh, i shumtë dhe trupmadh si anakimët.
11. Edhe këta konsideroheshin gjigantë, ashtu si anakimët; por moabitët i quanin emimë.
12. Seiri banohej në fillim nga horenjtë; por pasardhësit e Esaut i dëbuan, i shkatërruan dhe u vendosën në vendin e tyre, ashtu si ka bërë Izraeli në vendin që zotëron dhe që i ka dhënë Zoti).
13. Tani çohuni dhe kaloni përroin e Zeredit". Kështu ne kapërcyem përroin e Zeredit.
14. Koha e nevojshme për të arritur nga Kadesh-Barnea deri në kalimin e përroit të Zeredit, ishte tridhjetë e tetë vjet, derisa tërë brezi i luftëtarëve të zhdukej plotësisht nga kampi, ashtu si u qe betuar atyre Zoti.
15. Në fakt dora e Zotit qe kundër tyre për t'i asgjësuar nga kampi, derisa të zhdukeshin.
16. Kështu, kur luftëtari i fundit vdiq në mes të popullit,
17. Zoti më foli duke thënë:
18. "Sot ti po bëhesh gati të kalosh kufirin e Moabit në Ar;
19. por duke iu afruar bijve të Amonit, mos i sulmo dhe mos u shpall luftë, sepse unë nuk do të jap asnjë pjesë të vendit të bijve të Amonit si trashëgimi, sepse ua kam dhënë bijve të Lotit si pronë të tyre".
20. (Edhe konsiderohej si një vend gjigantësh; në kohërat e kaluara këtu banonin gjigantë; por amonitët i quanin zamzumimë,
21. një popull i madh, i shumtë dhe shtatlartë si anakimët; por Zoti i shkatërroi para amonitëve, që i dëbuan dhe u vendosën në vendin e tyre,
22. ashtu si kishte vepruar Zoti me pasardhësit e Esaut që banonin në Seir, kur shkatërroi horenjtë përpara tyre. Ata i dëbuan dhe u vendosën në vendin e tyre deri në ditët tona.