13. Kush i ka besuar kujdesin për tokën, ose kush e ka vendosur mbi tërë botën?
14. Në qoftë se Perëndia duhet të vendoste në zemër të vet të tërhiqte mbi vete Frymën e tij dhe frymën e tij,
15. çdo mish do të shkatërrohej njëkohësisht, dhe njeriu do të kthehej në pluhur.
16. Në qoftë se ke mend, dëgjoje këtë, vër veshin për të dëgjuar atë që po të them.
17. A mund të qeverisë ai që urren drejtësinë? A guxon ti të dënosh të Drejtin, të Fuqishmin?
18. Ai që i thotë një mbreti: "Je për t'u përbuzur" dhe princave: "Jeni të këqij".
19. Por ai nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij.
20. Në një çast ata vdesin; në mesin e natës njerëzia tronditet dhe zhduket, të fuqishmit çohen tutje pa dorë njeriu.
21. Sepse ai i mban sytë te rrugët e njeriut, dhe shikon tërë hapat e tij.
22. Nuk ka terr as hije vdekjeje, ku mund të fshihen njerëzit e këqij.
23. Në fakt Perëndia nuk ka nevojë ta këqyrë gjatë një njeri para se ta nxjerrë për gjykim para tij.
24. Ai i ligështon të fuqishmit pa bërë hetim dhe vë të tjerë në vendin e tyre.
25. Duke qenë se i njeh veprat e tyre, i rrëzon natën dhe ata shkatërrohen;
26. i godet si njerëz të këqij para syve të të gjithëve,
27. sepse janë larguar nga ai pa u kujdesur për rrugët e tij,
28. derisa të arrijë tek ai britma e të varfrit, sepse ai dëgjon britmën e të pikëlluarve.
29. Kur Perëndia jep qetësinë, kush do ta dënojë? Kur fsheh fytyrën e tij, kush do të mund ta shikojë, qoftë kundër një kombi të tërë ose kundër një njeriu të vetëm,
30. për të penguar që i pabesi të mbretërojë dhe që populli të zihet ndër leqe?