Jobi 15:20-29 Bibla Shqip (ALBB)

20. I keqi heq dhembje tërë jetën e tij dhe vitet e caktuara për tiranin janë të numëruara.

21. Zhurma të llahtarshme arrijnë në veshët e tij, dhe në kohën e bollëkut i sulet rrënuesi.

22. Nuk ka shpresë kthimi nga errësira, dhe shpata e pret.

23. Endet e kërkon bukë, po ku mund ta gjejë? Ai e di se dita e territ është përgatitur në krah të tij.

24. Fatkeqësia dhe ankthi i shtien frikë, e sulmojnë si një mbret gati për betejë,

25. sepse ka shtrirë dorën e tij kundër Perëndisë, ka sfiduar të Plotfuqishmin,

26. duke u hedhur me kokëfortësi kundër tij me mburojat e tij të zbukuruara me tokëza.

27. Ndonëse fytyra e tij është e mbuluar me dhjamë dhe ijët e tij janë fryrë nga shëndoshja e tepërt;

28. ai banon në qytete të shkretuara, në shtëpi të pabanuara që do të katandisen në grumbuj gërmadhash.

29. Ai nuk do të pasurohet dhe fati i tij nuk ka për të vazhduar, as edhe pasuria e tij nuk do të shtohet mbi tokë.

Jobi 15