6. Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Prisni drurët e tij dhe ndërtoni një ledh kundër Jeruzalemit; ky është qyteti që duhet ndëshkuar; në mes të tij nuk ka veçse shtypje.
7. Ashtu si një pus nxjerr ujërat e tij, kështu ai nxjerr ligësinë e vet; në të flitet vetëm për dhunë dhe për shkatërrim; para meje qëndrojnë vazhdimisht dhembje dhe plagë.
8. Lejo të të korrigjojnë, o Jeruzalem, përndryshe shpirti im do të largohet nga ti, përndryshe do të të katandis në një shkretim, në një tokë të pabanuar".
9. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ata që kanë mbetur nga Izraeli do të mblidhen si vilet e pavjela të një vreshti; kaloje përsëri dorën tënde si vjelësi mbi degëzat e hardhisë.
10. Kujt do t'i flas dhe cilin do të qortoj që të më dëgjojë? Ja, veshi i tyre është i parrethprerë dhe ata nuk janë të zotë të tregojnë kujdes; ja, fjala e Zotit është bërë për ta objekt përçmimi dhe ata nuk gjejnë tek ajo asnjë kënaqësi.