Jeremia 51:51-58 Bibla Shqip (ALBB)

51. Na vjen turp të dëgjojmë sharjen, turpi ka mbuluar fytyrën tonë, sepse disa të huaj kanë hyrë në shenjtëroret e shtëpisë të Zotit.

52. "Prandaj ja, do të vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat unë do të dënoj figurat e tij të gdhendura dhe në tërë vendin e tij do të rënkojnë të plagosurit për vdekje.

53. Edhe sikur Babilonia të ngjitej deri në qiell, edhe sikur ta bënte të pakapshme forcën e saj të lartë, nga ana ime do të vijnë kundër saj disa shkatërrimtarë", thotë Zoti.

54. Zhurma e një britme po vjen nga Babilonia, e një shkatërrimi të madh nga vendi i kaldeasve.

55. Sepse Zoti po shkatërron Babiloninë dhe bën që të pushojë zhurma e saj e madhe; valët e tyre gumëzhijnë, zhurma e zërit të tyre po ngrihet.

56. Shkatërrimtari në fakt erdhi kundër saj, kundër Babilonisë; trimat e saj janë kapur, harqet e tyre janë copëtuar, sepse Zoti është Perëndia i shpërblimeve; ai do t'i shpërblejë me siguri.

57. Unë do t'i deh princat e saj, njerëzit e urtë të saj, qeveritarët e saj, nëpunësit e saj, dhe trimat e saj dhe kështu do të bëjnë një gjumë të përjetshëm dhe nuk do të zgjohen më", thotë Mbreti, emri i të cilit është Zoti i ushtrive.

58. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Muret e gjëra të Babilonisë do të prishen krejtësisht, portat e saj të larta do të digjen me zjarr; kështu popujt do të kenë punuar për asgjë dhe kombet do të jenë munduar vetëm për zjarrin".

Jeremia 51