3. Mos lini që ai, i cili nder harkun ta shtrijë atë apo të ngrihet në parzmoren e tij. Mos kurseni të rinjtë e saj, vendosni shfarosjen e tërë ushtrisë së saj.
4. Kështu ata do të bien të vrarë në vendin e kaldeasve dhe të shpuar nëpër rrugët e Babilonisë.
5. Sepse Izraeli dhe Juda nuk kanë qenë braktisur nga Perëndia i tyre, nga Zoti i ushtrive, megjithëse vendi i tyre ishte plot me faje kundër të Shenjtit të Izraelit".
6. Ikni nga mesi i Babilonisë dhe të shpëtojë secili jetën e tij, shikoni të mos të shkatërroheni në paudhësinë e saj. Sepse kjo është koha e hakmarrjes së Zotit; ai do të japë shpërblimin e drejtë.
7. Babilonia ishte në duart e Zotit një kupë ari që dehte tërë tokën; kombet kanë pirë nga vera e saj, prandaj kombet kanë rënë në kllapi.
8. Papritmas Babilonia ra, u shkatërrua. Vajtoni për të, merrni balsam për dhembjen e saj; ndofta mund të shërohet.
9. Ne dëshironim ta shëronim Babiloninë, por ajo nuk është shëruar. Braktiseni dhe të shkojmë secili në vendin e vet, sepse gjykimi i saj arrin deri në qiell dhe ngrihet deri te retë.
10. Zoti ka bërë të triumfojë çështja jonë e drejtë. Ejani, të tregojmë në Sion veprën e Zotit, Perëndisë tonë.
11. Mprehni shigjetat, rrokni mburojat. Zoti ka zgjuar frymën e mbretërve të medasve, sepse qëllimi i tij kundër Babilonisë është shkatërrimi i saj, sepse kjo është hakmarrja e Zotit, hakmarrja e tempullit të tij.
12. Ngrini flamurin mbi muret e Babilonisë. Përforconi rojet, vendosni shigjetarë, përgatitni kurthe. Sepse Zoti ka menduar dhe ka zbatuar atë që ka thënë kundër banorëve të Babilonisë.
13. O ti që banon pranë ujërave të mëdha, të pasura në thesare, fundi yt erdhi, fundi i fitimeve të tua të padrejta.