9. Atë ditë ka për të ndodhur", thotë Zoti, "që zemra e mbretit dhe zemra e princave do të ligështohen, priftërinjtë do të mbeten të shushatur dhe profetët të shtangur".
10. Atëherë unë thashë: "O Zot, Zot, ti ke mashtruar plotësisht këtë popull dhe Jeruzalemin, duke thënë: "Ju do të keni paqe", ndërsa shpata po futet deri në zemër".
11. Në atë kohë do t'i thuhet këtij populli dhe Jeruzalemit: "Një erë zhuritëse që vjen nga lartësitë e zhveshura në shkretëtirë dhe fryn në drejtim të bijës së popullit tim, jo për të shoshitur as për të pastruar;
12. një erë edhe më e fortë nga këto do të vijë nga ana ime; tani që unë do të shqiptoj gjykimin tim kundrejt tyre.
13. Ja, si ngjitet si retë dhe qerret e tij si një shakullinë; kuajt e tij janë më të shpejtë se shqiponjat. Mjerë ne, sepse po shkretohemi!".
14. O Jeruzalem, pastro zemrën tënde nga ligësia, me qëllim që të shpëtosh. Deri kur do të mbeten te ty mendimet e mbrapshta?
15. Sepse një zë njofton nga Dani dhe shpall fatkeqësinë nga mali i Efraimit.
16. "Lajmëroni kombet; po, bëjani të njohur Jeruzalemit: rrethuesit vijnë nga një komb i largët dhe ngrenë zërin e tyre kundër qyteteve të Judës.
17. Si rojtarë të një are janë vendosur rreth e qark tij, sepse ka ngritur krye kundër meje", thotë Zoti.
18. "Sjellja jote dhe veprimet e tua të kanë shkaktuar këto gjëra; kjo do të jetë fatkeqësia jote, dhe do të jetë e hidhur, sepse do të arrijë zemrën tënde".
19. Zorrët e mia, zorrët e mia! Po shtrembërohem nga dhimbja. Oh, faqet e zemrës sime! Zemra më rreh fort përbrenda. Unë nuk mund të hesht, sepse, o shpirti im, kam dëgjuar zërin e borisë, britmën e luftës.
20. Po shpallet rrënim mbi rrënim, sepse tërë vendi është shkretuar. Papritmas çadrat e mia janë shkatërruar, shatorret e mia brenda një çasti.
21. Deri kur do të shoh flamurin dhe do të dëgjoj zërin e borisë?
22. "Po, populli im është budalla, nuk më njeh; janë bij pa mend dhe nuk kanë arsye; janë të zotë të bëjnë të keqen, por nuk dinë të bëjnë të mirën".
23. Shikova tokën, dhe ja, ajo ishte pa formë dhe boshe; qiejt ishin pa dritë.
24. Shikova malet, dhe ja, dridheshin, dhe tërë kodrat lëkundeshin.
25. Shikova, dhe ja, nuk kishte asnjë njeri dhe tërë zogjtë e qiellit kishin ikur.
26. Shikova, dhe ja, toka pjellore ishte një shkretëtirë, dhe të gjitha qytetet e saj ishin shembur përpara Zotit për shkak të zemërimit të tij të fortë.
27. Sepse kështu thotë Zoti: "Tërë vendi do të shkretohet, por nuk do ta shkatërroj plotësisht".
28. Për këtë arsye toka do të mbajë zi dhe lart qiejt do të errësohen, sepse unë kam folur, kam vendosur dhe nuk pendohem dhe as do të kthehem prapa.