17. Atëherë mora kupën nga dora e Zotit dhe bëra që ta pinë tërë kombet pranë të cilëve më kishte dërguar Zoti:
18. Jeruzalemi dhe qytetet e Judës, mbretërit dhe princat e tij, për t'i katandisur në një shkatërrim, në një objekt habie, talljeje dhe mallkimi, siç po ndodh sot;
19. Faraoni, mbreti i Egjiptit, shërbëtorët e tij, princat dhe tërë populli i tij;
20. tërë popullata e përzier, tërë mbretërit e vendit të Uzit, tërë mbretërit e filistenjve (domethënë Ashkeloni, Gaza, Ekroni dhe ata që mbetën nga Ashdodi);
21. Edomi, Moabi dhe bijtë e Amonit;
22. tërë mbretërit e Tiros, tërë mbretërit e Sidonit dhe mbretërit e ishujve që ndodhen matanë detit;
23. Dedani, Tema, Buzi dhe tërë ata që presin cepat e mjekrës;
24. tërë mbretërit e Arabisë, tërë mbretërit e popullatës së përzier që banon në shkretëtirë;
25. tërë mbretërit e Zimrit, tërë mbretërit e Elamit, tërë mbretërit e Medias
26. dhe tërë mbretërit e veriut, që janë afër ose larg, si njëri ashtu edhe tjetri, dhe tërë mbretëritë e botës që janë mbi faqen e dheut. Dhe mbreti i Sheshakut do të pijë mbas tyre.
27. "Ti, pra, do t'u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Pini, dehuni dhe villni; rrëzohuni pa u ngritur më nga shpata që do të dërgoj në mes jush.