Jeremia 22:5-25 Bibla Shqip (ALBB)

5. Por në rast se nuk do të dëgjoni këto fjalë, unë betohem për veten time", thotë Zoti, "që kjo shtëpi do të shkretohet".

6. Sepse kështu thotë Zoti për shtëpinë e mbretit të Judës: "Ti ishe për mua si Galaadi, si maja e Libanit. Por unë do të të katandis me siguri në një vend të shkretë, në një qytet pa banorë.

7. Po përgatis kundër teje shkatërrues, secili me armët e tij; ata do të rrëzojnë cedrat e tu më të mirë dhe do t'i hedhin në zjarr.

8. Shumë kombe do të kalojnë pranë këtij qyteti dhe do t'i thonë njëri-tjetrit: "Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë qytet të madh?".

9. Dhe do të përgjigjen: "Sepse e kanë braktisur besëlidhjen me Zotin, Perëndinë e tyre, dhe kanë rënë përmbys para perëndive të tjera dhe u kanë shërbyer".

10. Mos qani për të vdekurin, mos mbani zi për të, por qani me hidhërim të madh për atë që niset, sepse nuk do të kthehet më dhe nuk e ka për të parë më vendin ku ka lindur.

11. Sepse kështu thotë Zoti për Shalumin, birin e Josias, mbret i Judës, që mbretëron në vend të Josias atit të tij dhe që ka dalë nga ky vend: "Ai nuk do të kthehet më,

12. por do të vdesë në vendin ku e kanë çuar në robëri dhe nuk ka për ta parë më këtë vend".

13. Mjerë ai që e ndërton shtëpinë e tij pa drejtësi dhe dhomat e saj të sipërme me paanësi, që e vë tjetrin të punojë për asgjë dhe nuk ia shpërblen punën e tij,

14. dhe thotë: "Do të ndërtoj një shtëpi të madhe me dhoma të sipërme të gjera", dhe hap në të dritare, e vesh me dru cedri dhe e lyen me të kuq.

15. "Mendon vallë se je mbret, sepse je i rrethuar nga cedra? Ati yt nuk hante dhe pinte? Por vepronte me ndershmëri e drejtësi dhe gjithçka i shkonte mbarë.

16. Ai mbronte çështjen e të varfrit dhe të nevojtarit dhe gjithçka i shkonte mbarë. A nuk do të thotë kjo të më njohësh mua?", thotë Zoti.

17. "Por sytë e tu dhe zemra jote nuk shikojnë veçse fitimin tënd të padrejtë, të derdhin gjak të pafajshëm dhe të kryejnë shtypje dhe dhunë".

18. Prandaj kështu thotë Zoti për Jehojakimin, birin e Josias, mbreti i Judës: "Nuk do të mbajnë zi për të, duke thënë: "Vaj medet, vëllai im! Vaj medet, motër!". Nuk do të mbajnë zi për të duke thënë: "Vaj medet, zot! Vaj medet, madhëri e tij!".

19. Do të varroset ashtu si varroset një gomar, që e heqin dhe e hedhin larg portave të Jeruzalemit.

20. Ngjitu në Liban dhe bërtit, ngrije zërin në Bashan dhe bërtit nga Abarimi, sepse të gjithë dashnorët e tu janë shkatërruar.

21. Të fola në kohën e begatisë sate, por ti më the: "Nuk do të dëgjoj". Kjo ka qenë sjellja jote qysh në rininë tënde: nuk e dëgjove kurrë zërin tim.

22. Tërë barinjtë e tu do të gllabërohen nga era dhe dashnorët e tu do të shkojnë në robëri; atëherë do të jesh e turpëruar dhe e shushatur për gjithë ligësinë tënde.

23. Ti që banon në Liban, që ke ngritur folenë në mes cedrave, sa do të rënkosh kur do të të zënë dhembjet, dhembjet si ato të gruas që është gati të pjellë!

24. Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, "edhe sikur Konjahu, biri i Jehojakimit, mbret i Judës, të ishte një unazë vulosjeje në dorën time të djathtë, unë do të të shkulja që andej.

25. Unë do të të jap në dorë të atyre që kërkojnë jetën tënde, në dorë të atyre prej të cilëve ke frikë, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe në dorë të kaldeasve.

Jeremia 22