Isaia 41:11-19 Bibla Shqip (ALBB)

11. Ja, tërë ata që janë zemëruar kundër teje do të turpërohen dhe do të shushaten; ata që luftojnë kundër teje do të katandisen në hiç dhe do të zhduken.

12. Ti do t'i kërkosh, por nuk do t'i gjesh më ata që të kundërshtonin; ata që të bënin luftë do të jenë asgjë, si një gjë që nuk ekziston më.

13. Sepse unë, Zoti, Perëndia yt, të zë nga dora e djathtë dhe të them: "Mos u frikëso, unë të ndihmoj".

14. "Mos u frikëso, o krimb i Jakobit, o njerëz të Izraelit! Unë të ndihmoj", thotë Zoti; "Shpëtimtari yt është i Shenjti i Izraelit.

15. Ja, unë të bëj një shirëse të re me dhëmbë të mprehura; ti do të shish malet dhe do t'i katandisësh në pluhur, dhe do t'i bësh kodrat si byk.

16. Ti do t'i frysh, era do t'i çojë larg dhe shakullina do t'i shpërndajë; por ti do të gëzohesh te Zoti dhe do të përlëvdohesh tek i Shenjti i Izraelit.

17. Të mjerët dhe të varfrit kërkojnë ujë, por mungon; gjuha e tyre u është tharë nga etja; unë, Zoti do t'ua plotësoj dëshirën; unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t'i braktis.

18. Do të bëj që të dalin lumenj mbi kodrat e zhveshura dhe burime në mes të luginave; do ta bëjë shkretëtirën një liqen uji dhe tokën e thatë burim ujërash.

19. Do të mbjell në shkretëtirë cedrin, akacien, mërsinën dhe ullirin, do të mbjellë në Arabah qiparisin, vidhin dhe bredhin,

Isaia 41