8. Kështu Rabshakehu u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë që po rrethonte Libnahun, sepse kishte mësuar që mbreti ishte nisur nga Lakishi.
9. Atëherë mbreti i Asirisë dëgjoi të thuhet për Tirhakahun, mbretin e Etiopisë: "Ka dalë për të luftuar kundër teje". Sa dëgjoi këtë, ai i dërgoi lajmëtarët Ezekias, duke i thënë:
10. "Do t'i thoni kështu Ezekias, mbretit të Judës: Mos lër që Perëndia yt të cilit i beson të të mashtrojë duke të thënë: "Jeruzalemi nuk do jepet në duart e mbretit të Asirisë".
11. Ja, ti dëgjove ato që mbreti i Asirisë u ka bërë gjithë vendeve të tjera, duke vendosur shkatërrimin e tyre. A do të mund të shpëtoje vetëm ti?
12. A kanë çliruar vallë mbretërit e kombeve ato që etërit e mi kanë shkatërruar: Gozanin, Haranin, Retsefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?
13. Ku janë mbreti i Hamathit, mbreti i Arpadit dhe mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut?".
14. Ezekia e mori letrën nga duart e lajmëtarëve dhe e lexoi; pastaj u ngjit në shtëpinë e Zotit dhe e shpalosi para Zotit.
15. Pastaj Ezekia iu lut Zotit, duke thënë:
16. "O Zot i ushtrive, Perëndi i Izraelit që ulesh midis kerubinëve, ti je Perëndia, ti vetëm, i të gjitha mbretërive të tokës; ti ke bërë qiejt dhe tokën.
17. Vër veshin, o Zot, dhe dëgjo; hap sytë, o Zot, dhe shiko. Dëgjo tërë fjalët që Senakeribi ka dërguar të thotë për të fyer Perëndinë e gjallë.
18. Në të vërtetë, o Zot, mbretërit e Asirisë kanë shkatërruar të gjitha kombet dhe vendet e tyre,
19. dhe kanë hedhur në zjarr perënditë e tyre, sepse këto nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njeriut, dru e gur; për këtë arsye i kanë shkatërruar.