11. Zotër të tij do të bëhen pelikani dhe iriqi dhe do të banojnë aty kukuvajka dhe korbi. Zoti do të shtrijë mbi të litarin e dëshpërimit, plumbçen e boshllëkut.
12. Do t'i thërrasin fisnikët në mbretëri, por nuk do ketë asnjë prej tyre, dhe tërë princat janë katandisur në hiç.
13. Në pallatet e tij do të rriten gjemba, në fortesat e tij hithra dhe carangtha; do të bëhet banesë për çakejtë, një vend i rrethuar për strucët.
14. Kafshët e shkretëtirës do të takohen me kafshët që ulërijnë, cjeptë do të thërrasin njëri-tjetrin; do të vendosen aty edhe kukuvajkat dhe do të gjejnë një vend pushimi.