Isaia 33:4-19 Bibla Shqip (ALBB)

4. Plaçka juaj e luftës do të mblidhet ashtu siç mblidhen vemjet; ashtu si turren karkalecat kështu do të turren mbi të.

5. Zoti është lartësuar sepse banon lart; ai e mbush Sionin me barazi dhe drejtësi,

6. dhe do të jetë siguria e ditëve të tua, forca e shpëtimit, dituria dhe njohja; frika e Zotit do të jetë thesari i tij.

7. Ja, heronjtë e tyre bërtasin nga jashtë, lajmëtarët e paqes qajnë me hidhërim.

8. Rrugët janë të shkreta, nuk ka as edhe një kalimtar nëpër to. Ai e ka prishur besëlidhjen me ta, i përbuz qytetet, nuk kujdeset për njeri.

9. Vendi është në zi dhe vuan; Libani është plot me turp dhe i dobësuar; Sharoni është si një shkretëtirë, Bashani dhe Karmeli tronditen me të madhe.

10. "Tani do të çohem", thotë Zoti, "tani do të lartësohem, tani do të ngrihem.

11. Ju keni mbarsur bykun, por do të pillni kashtë; fryma juaj do të jetë një zjarr që do t'ju gllabërojë.

12. Popujt do të jenë si furra të gëlqeres, ata do të digjen në zjarr si ferrishte të prera.

13. O ju që jeni larg, dëgjoni atë që kam bërë; dhe ju që jeni afër, njihni fuqinë time".

14. Në Sion mëkatarët i ka kapur frika, një drithërimë ka pushtuar të pabesët: "Kush prej nesh do të mund të banojë me zjarrin gllabërues? Kush prej nesh do të mund të banojë me flakët e përjetshme?".

15. Ai që ecën me drejtësi dhe flet drejt, ai që i përçmon fitimet e shtrembra, që lëviz duart për të mos pranuar dhurata, që i mbyll veshët për të mos dëgjuar të flitet për gjak dhe sytë për të mos parë të keqen,

16. ai do të banojë në vende të larta, shkëmbinjtë e fortifikuar do të jenë streha e tij, buka e tij do t'i jepet, uji i tij do t'i sigurohet.

17. Sytë e tu do të sodisin bukurinë e mbretit tënd, do të shohin një vend që ndodhet shumë larg.

18. Zemra jote do të bjerë në mendime të thella mbi tmerret e kaluara: "Ku është shkruesi? Ku është ai që peshon? Ku është ai që numëron kullat?".

19. Ti nuk do ta shikosh më atë popull mizor, atë popull me një të folur të errët dhe të pakuptueshme, që belbëzon një gjuhë që askush nuk e kupton.

Isaia 33