5. Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: ''Nuk do të të lë, nuk do të të braktis''.
6. Kështu mund të themi, me plot besim: ''Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç'do të më bëjë njeriu?''.
7. Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre.
8. Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë.
9. Mos e lëshoni veten aty e këtu prej doktrinash të ndryshme dhe të huaja, sepse është mirë që zemra juaj të forcohet me anë të hirit dhe jo prej ushqimit, të cilat nuk u dhanë asnjë dobi atyre aq sa ecën.
10. Ne kemi një altar prej të cilit nuk kanë të drejtë të hanë ata që i shërbejnë tabernakullit.
11. Sepse trupat e atyre kafshëve, gjaku i të cilave është sjellë prej kryepriftit në shenjtëroren për mëkatin, digjen jashtë fushës.
12. Prandaj edhe Jezusi, për të shenjtëruar popullin me gjakun e vet, pësoi jashtë derës (së qytetit).
13. Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij.
14. Sepse nuk kemi këtu qytet të përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.
15. Me anë të tij, pra, le t'i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.