Gjyqtarët 8:11-18 Bibla Shqip (ALBB)

11. Gedeoni shkoi nëpër rrugët e atyre që banonin në çadra, në lindje të Nobahut dhe të Jogbehahut, dhe mundi ushtrinë që e pandehte veten në siguri.

12. Dhe Zebahu dhe Tsalmunai ikën me vrap; por ai i ndoqi dhe i zuri të dy mbretërit e Midianit, Zebahun dhe Tsalmunain, dhe e shpartalloi tërë ushtrinë.

13. Pastaj Gedeoni, bir i Joashit, u kthye në fushën e betejës nëpër të përpjetën e Heresit.

14. Kapi një të ri nga njerëzit e Sukothit dhe e mori në pyetje, dhe ky i dha me shkrim emrat e krerëve dhe të pleqve të Sukothit, gjithsej shtatëdhjetë e shtatë burra.

15. Pastaj shkoi te njerëzit e Sukothit dhe tha: "Ja, Zebahu dhe Tsalmunai, në lidhje me të cilët jeni tallur me mua, duke thënë: "Mos vallë Zebahu dhe Tsalmunai janë në dorën tënde, që ne të duhet t'u japim bukë njerëzve të tu të lodhur?"".

16. Mori pastaj pleqtë e qytetit dhe me gjembat dhe ferrat e shkretëtirës u dha një mësim burrave të Sukothit.

17. Rrëzoi gjithashtu kalanë e Penuelit dhe vrau njerëzit e qytetit.

18. Pastaj u tha Zebahut dhe Tsalmunait: "Si ishin njerëzit që keni vrarë në Tabor?". Ata u përgjigjën: "Ishin si ti; secili prej tyre kishte pamjen e birit të një mbreti".

Gjyqtarët 8