6. Kështu Delilah i tha Sansonit: "Më thuaj të lutem, ku qëndron forca jote e madhe dhe në çfarë mënyre mund të të lidhin që të të nënshtrojnë".
7. Sansoni iu përgjigj: "Në rast se më lidhin me shtatë tela të freskëta, jo akoma të thara, të harkut, unë do të bëhem i dobët dhe do të jem si gjithë burrat e tjerë".
8. Atëherë princat e filistenjve i sollën shtatë tela të freskëta harku, jo akoma të thata, dhe ajo e lidhi me këto tela.
9. Mirëpo kishte njerëz që rrinin në pritë pranë saj, në një dhomë të brendshme. Ajo i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë!". Por ai i këputi litarët, ashtu si këputet një fije shtupe kur ndjen zjarrin. Kështu e fshehta e forcës së tij mbeti e panjohur.
10. Pastaj Delilah i tha Sansonit: "Ja, je tallur me mua dhe më ke treguar gënjeshtra; por tani, të lutem, më thuaj se me çfarë gjë mund të lidhesh".
11. Ai iu përgjigj: "Në qoftë se më lidhin me litarë të rinj që nuk kanë qenë përdorur kurrë, unë do të bëhem i dobët dhe do të jem si çfarëdo burrë tjetër".
12. Prandaj Delilah mori litarë të rinj, e lidhi dhe i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë". Dhe kishte njerëz në pritë në dhomën e brendshme. Ai i këputi litarët që kishte në krahë si të ishin penj.
13. Atëherë Delilah i tha Sansonit: "Deri tani je tallur me mua dhe më ke thënë gënjeshtra; tregomë me se mund të lidhesh". Dhe ai iu përgjigj: "Mjafton të thurësh shtatë gërshetat e kokës sime me majën e tezgjahut".