5. Pastaj ndezi pishtarët dhe i la dhelprat të iknin nëpër fushat e grurit të filistenjve, dhe dogji demetet dhe grurin akoma në këmbë madje edhe vreshtat dhe ullishtat.
6. Atëherë filistenjtë pyetën: "Kush e bëri këtë?". Morën këtë përgjigje: "Sansoni, dhëndri i burrit të Timnahut, sepse ky mori gruan dhe ia dha si bashkëshorte shokut të tij". Kështu filistenjtë u ngritën dhe i vunë flakën asaj dhe atit të saj.
7. Sansoni u tha atyre: "Me qenë se keni bërë këtë gjë, unë do të hakmerrem sigurisht kundër jush dhe pastaj do të rri".
8. Kështu i goditi në mënyrë të pamëshirshme, duke bërë kërdi të madhe. Pastaj zbriti dhe qëndroi në shpellën e shkëmbit të Etamit.
9. Atëherë filistenjtë dolën, ngritën kampin e tyre në Juda dhe u shtrinë deri në Lehi.
10. Njerëzit e Judës u thanë atyre: "Pse dolët kundër nesh?". Ata iu përgjigjën: "Dolëm për të kapur Sansonin dhe për t'i bërë atij atë që ai na ka bërë neve".
11. Atëherë tre mijë burra të Judës zbritën në shpellën e shkëmbit të Etamit dhe i thanë Sansonit: "Nuk e di që filistenjtë na sundojnë? Çfarë na bëre kështu?". Ai u përgjigj kështu: "Atë që më bënë mua, unë ua bëra atyre".
12. Ata i thanë: "Ne kemi zbritur që të të kapim dhe të të dorëzojmë në duart e filistenjve". Sansoni u përgjigj: "Betohuni që ju nuk do të më vrisni".