Gjyqtarët 10:9-18 Bibla Shqip (ALBB)

9. Pastaj bijtë e Amonit kaluan Jordanin për të luftuar edhe kundër Judës, kundër Beniaminit dhe kundër shtëpisë së Efraimit; dhe Izraeli u ndodh në një situatë shumë fatkeqe.

10. Atëherë bijtë e Izraelit i klithën Zotit, duke i thënë: "Kemi mëkatuar ndaj teje, sepse kemi braktisur Perëndinë tonë dhe i kemi shërbyer Baalit".

11. Zoti u tha bijve të Izraelit: "A nuk ju çlirova unë nga egjiptasit, nga amorenjtë, nga bijtë e Amonit dhe nga filistenjtë?

12. Kur ata të Sidonit, amalekitët dhe maonitët ju shtypnin dhe ju bëtë thirrje, a nuk ju çlirova nga duart e tyre?

13. Megjithatë ju më braktisët dhe u vutë në shërbim të perëndive të tjera; prandaj unë nuk do t'ju çliroj më.

14. Shkoni, pra, t'u thërrisni perëndive që keni zgjedhur; le t'ju shpëtojnë ato në kohën e fatkeqësive tuaja!".

15. Bijtë e Izraelit i thanë Zotit: "Kemi mëkatuar; bëna çfarë të duash, por na çliro sot, të lutemi shumë".

16. Atëherë hoqën nga mjedisi i tyre perënditë e huaja dhe i shërbyen Zotit që u trishtua për vuajtjet e Izraelit.

17. Pastaj bijtë e Amonit u mblodhën dhe ngritën kampin e tyre në Galaad dhe bijtë e Izraelit u mblodhën dhe ngritën kampin e tyre në Mitspah.

18. Populli, domethënë princat e Galaadit i thanë njëri-tjetrit: "Kush do të jetë njeriu që do të fillojë të luftojë kundër bijve të Amonit? Ai do të jetë kreu i të gjithë banorëve të Galaadit".

Gjyqtarët 10