Gjoni 12:30-46 Bibla Shqip (ALBB)

30. Dhe Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Ky zë nuk ka ardhur për mua, por për ju.

31. Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote!

32. Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t'i tërheq të gjithë tek unë''.

33. Por ai i thoshte këto për të treguar nga ç'lloj vdekje duhet të vdiste.

34. Turma iu përgjigj: ''Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; tani si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Kush është ky Bir i njeriut?''.

35. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Drita është me ju edhe për pak kohë; ecni gjersa keni dritë, që të mos ju zërë errësira; kush ecën në errësirë nuk di se ku shkon''.

36. ''Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës''. Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre.

37. Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të,

38. që të përmbushej fjala e profetit Isaia që tha: ''Zot, kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?''.

39. Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha:

40. ''Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj''.

41. Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të.

42. Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga,

43. sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë.

44. Pastaj Jezusi thirri dhe tha: ''Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më ka dërguar.

45. Dhe kush më sheh mua, sheh atë që më ka dërguar.

46. Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë.

Gjoni 12